Bëhu vullnetar i ESC-së
Udhëtimi është një mënyrë për të zbuluar botën dhe për t’u njoftuar me kulturat tjera. Por vullnetarizmi është një mënyrë për të jetuar vërtetë këtë përvojë. Në botën tonë komplekse dhe të ndërlidhur, të qenit pjesë aktive e ndonjë projekti domethënës, në vendin tuaj ose jashtë tij, është e rëndësishme, veçanërisht kur njerëzimi po përballet me kriza të vazhdueshme (ndryshimet klimatike, migrimi i detyruar, luftërat, krizat ekonomike, humbja e biodiversitetit) që do të nxjerrin në pah nevojën për solidaritet dhe bashkëpunim midis nesh.
Thelbi i vullnetarizmit është që të angazhoheni për të mbështetur një komunitet apo një kauzë, jo për të perfituar financiarisht, por për hir të solidaritetit, drejtësisë sociale, të drejtave të njeriut, mbrojtjes së mjedisit, nxitjes së shoqërive demokratike, etj. Ka shumë mënyra për t’u bërë vullnetarë, por programi i Korpusit Evropian të Solidaritetit (ESC) ju ndihmon të gjeni mundësi për vullnetarizëm dhe ju mbulon shpenzimet tuaja gjatë kohëzgjatjes së projektit.
Të rinjët nga 18 deri 30 vjeç mund të bëhen vullnetar të ESC-së për t’u bashkangjitur projekteve në vendet evropiane (vendet anëtare të BE-së, Islanda, Maqedonia e Veriut dhe Turqia). Projektet janë nga më të ndryshmet, nga vullnetarizmi në një organizatë rinore deri tek asistimi në organizatat shëndetësore, nga fermat ekologjike deri tek institucionet kulturore, nga krijimet artikstike deri te ndihma për refugjatët. Cilido që është interesi juaj për jetën, dhe çfarëdo që e kaluara juaj përfshin, do të ketë një projekt për ju. Nuk nevojitet shkollim specifik ose përvojë pune, nuk kërkohet njohja e gjuhën angleze: të gjithë mund të aplikojnë. Nëse ndiheni të diskriminuar, ky program ju mirëpret krahëhapur, meqë njerëzit me mundësi të limituara (pjesëtarët e komuniteteve pakicë, pjesëtarët e komuniteteve LGBTQ, ata të cilët janë të izoluar gjeografikisht, të sfiduarit ekonomikisht, personat me aftësi të kufizuara, personat që nuk kanë mundur ta vazhdojnë shkollimin, etj.) do të kenë përparësi.
Sapo të pranoheni në projekt, të gjitha shpenzimet tuaja (qiraja, ushqimi, transporti, policat e sigurimit, procedurat e vizës, kursi i gjuhës) mbulohen nga projekti. Madje, për të shijuar përvojën tuaj plotësisht ju do të merrni edhe një shumë të vogël të parave.
Ekzistojnë dy lloje të aktiviteteve vullnetare, në të cilat mund të merrni pjesë:
- Vullnetarizëm individual: Ju bashkoheni me një
organizatë që punon në një projekt afatgjatë. Kohëzgjatja mund të jetë nga 2
deri në 12 muaj. Ju jetoni dhe punoni brenda komunitetit lokal, dhe koordinoheni
nga organizata pranuese në lidhje me veprimtaritë tuaja.
Për njerëzit me mundësi të limituara, ky lloj i vullnetarizmit mund zgjasë fillimisht nga 2 javë deri në 2 muaj para se të angazhoheni për një kohë më të gjatë. Në raste të veçanta, personat që kanë kryer veprimtari vullnetare në kohëzgjatje deri në 2 muaj në kuadër të ESC-së, mund të marrin pjesë në aktivitete shtesë si vullnetarë individual. Kohëzgjatja totale nuk duhet t’i kalojë 14 muaj.
- Ekipe vullnetarësh: Ju i bashkangjiteni një grupi të rinjësh të përbërë nga 10 deri 40 persona. Kohëzgjatja e këtij lloji të vullnetarizmit mund të jetë nga 2 javë deri në 2 muaj. Ju mund të merrni pjesë në më shumë se një aktivitet të këtij lloji në kuadër të ESC-së.
Para ditëlindjes tuaj të 31-të, ju mund t’i bashkangjiteni një projekti afatgjatë të vullnetarizmit individual vetëm një herë.
SI T’I BASHKOHENI NJË PROJEKTI
Projektet e ESC-së mund t’i gjeni në “European Youth Portal”. Për të aplikuar në ndonjë projekt, ju duhet të hapni një llogari në faqen e internetit. Kërkimi i projekteve bëhet më i lehtë pasi të keni hapur llogarinë. Kur hapni llogarinë tuaj, shpenzoni kohë të mjaftueshme për të mbushur profilin me informata rreth vetes tuaj dhe bashkangjitni një CV të përditësuar. Kujdesuni që profili juaj të jetë i organizuar mirë dhe të përmbajë informata të përditësuara –– kjo është mënyra më e mirë për të kapur vëmendjen e organizatave pranuese! GAIA gjithmonë mund t’ju ndihmojë gjatë këtyre hapave.
Pasi të jeni keni hapur llogarinë, mund të shfletoni mundësitë më të fundit dhe për të parë shumëllojshmërinë e projekteve të ofruara. Për t’i parë të gjitha projektet në dispozicion, klikoni në pullën “Mundësitë” (eng. “Opportunities”).
Disa projekte janë të rezervuara për të rinj dhe të reja nga vende specifike. Për të thjeshtuar kërkimin tuaj, ju mund të zgjidhni t’i shikoni vetëm projektet për të cilat mund të aplikoni si shtetas i Kosovës.
Tani shfaqen të gjitha projektet ku mund të aplikoni! Ju mund të fokusoni kërkimin tuaj në bazë të vendit, temës dhe datave të projektit. Për shkak se disa organizata harrojnë të fshijnë projektet e tyre të përfunduara, ju rekomandojmë të vendosni datën nga “Fillon pas” (“Starts after”). Gjithashtu duhet të keni parsysh që edhe nëse rezultati i kërkimit ju tregon mundësi të vullnetarizmit afatgjatë në Spanjë, kufizimet aktuale të vizave për shtetasit e Kosovës, do të pamundësojnë pjesëmarrjen tuaj në atë vend.
Klikoni në cilindo projekt për të lexuar më shumë rreth organizatës zbatuese, qëllimin e projektit dhe aktivitetet e planifikuara për vullnetarët. Pasi të gjeni projektin tuaj të ëndrrave, mund të aplikoni drejtpërdrejt nga faqja që përmban përshkrimin e projektit. Disa organizata mund t’ju kërkojnë informata shtesë, për shembull, një tekst të shkurtër motivimi. Megjithatë, shumica e organizatave do të mbështeten së pari në informatat ekzistuese të profilit tuaj, kështu që kushtoni kohë të mjaftueshme plotësimit të profilit tuaj! Duhet të jeni të vëmendshëm edhe rreth afateve të fundit për aplikim, ato janë të shkruara në faqen që përmban përshkrimin e projektit.
Për t’u bashkuar me organizatën pranuese e cila e ka propozuar projektin, do t’ju duhet një organizatë mbështetëse e akredituar, me seli në Kosovë. Ka shumë organizata të akredituara në vend. GAIA do të jetë e gatshme të marrë këtë rol, por ju gjithashtu mund të kontrolloni nëse ekziston ndonjë organizatë tjetër e akredituar afër jush. Organizata mbështetëse do t’ju ndihmojë gjatë gjithë procesit të vullnetarizmit, nga përgatitja para nisjes, mbështetje nga distanca pasi të keni mbërrijtur në vendin e ri, e deri tek kthimi juaj në Kosovë pas përfundimit të projektit. Organizata mbështetëse është gjithashtu gatshme t’ju ndihmoj në hapat e parë të aplikimit, për tu siguruar që aplikimi juaj të ketë më shumë mundësi për sukses. Për ta zgjedhur GAIA-në si organizatën tuaj mbështetëse, ose për më shumë informacion, mund të kontaktoni [email protected].
Ju lutemi vini re se njohuritë specifike gjuhësore NUK janë të detyrueshme për të marrë pjesë në programin e ESC-së. Sidoqoftë, disa organizata do të kërkojnë njohuri themelore të gjuhës së vendit, ose të gjuhës angleze, për shkak të natyrës së programeve të tyre. Por mosnjohja e gjuhës angleze nuk duhet të jetë pengesë për të aplikuar në projekte!
Disa projekte janë aprovuar me GAIA-në si organizatë mbështetëse. Ne vazhdimisht publikojmë thirrjet për pjesëmarrës. Na ndiqni në rrjetet sociale për më shumë informacion! (Facebook dhe Instagram)