Korpusi Evropian i Solidaritetit (ESC) – Informim per organizatat e interesuara
Korpusi Evropian i Solidaritetit (ESC) synon të nxisë solidaritetin në shoqërinë evropiane, duke angazhuar të rinjtë dhe organizatat në aktivitete të qasshme të solidaritetit dhe me cilësi të lartë.Ky program u ofron të rinjve e të rejave mundësi për të treguar solidaritet, mundësi për të shprehur përkushtimin e tyre për të mirën e komuniteteve dhe mundësi për të ndihmuar në zgjidhjen e situatave sfiduese në të gjithë Evropën. Në të njëjtën kohë, u mundëson të rinjve të marrin përvojë, aftësi dhe kompetenca të dobishme për zhvillimin e tyre personal, arsimor, shoqëror, qytetar dhe profesional, duke rritur kështu punësueshmërinë e tyre.
Korpusi Evropian i Solidaritetit bazohet në arritjet e më shumë se 25 viteve përvojë të programeve evropiane në fushat e vullnetarizmit dhe rinisë, veçanërisht në përvojën e Shërbimit Vullnetar Evropian.
ESC u lejon të rinjëve dhe të rejave evropian/e, nga 18 deri në 30 vjeç, të anëtarësohen në një organizatë jashtë vendit, si vullnetarë/e, me ndihmën financiare të ofruar nga Komisioni Evropian. Meqë Kosova është shetet partner i këtij programi, organizatat nga vendi mund të presin vullnetarë nga shtetet pjesëmarrëse të ESC-ës.
Pranimi i vullnetarëve/eve për të ndihmuar në zbatimin e programeve tuaja jep përparësi të mëdha për organizatat. Të rinjtë dhe të rejat sjellin me vete motivimin për të ndihmuar komunitetin lokal, përvojën nga vendi i tyre, një sens të inovacionit që mund të nxisë një ekip vullnetarësh/esh vendas. Puna në një ekip multikulturor është gjithmonë një rrugë e mirë për të gjetur mënyra të reja të të menduarit dhe të bërjes së aktiviteteve.
Programi i ESC-ës mbulon shpenzimet e akomodimit, ushqimit, transportit lokal, vizave dhe udhëtimeve për vullnetarin/en, si dhe disa shpenzime administrative në rastet e pritjes ose dërgimit të vullnetarëve/eve.
Ekzistojnë dy lloje të aktiviteteve vullnetare që një organizatë mund të planifikojë:
- Vullnetarizëm individual, kur një vullnetar/e ndërkombëtar/e përfshihet me kohë të plotë në një projekt lokal, për një afat kohor nga 2 deri në 12 muaj. Nëse organizata ka kapacitet, atëherë mund të pranojë më shumë se një vullnetar/e në të njëtën kohë.Vini re se në disa raste, mund të përfshihen të rinjë ose të reja me më pak mundësi në aktivitete vullnetare nga 2 javë deri në 2 muaj.
- Ekipe të vullnetarëve/eve, ku një grup prej 10 deri 40 të rinj ose të reja mund të marrin pjesë në një aktivitet nga 2 javë në 2 muaj.
Që të dy llojet e aktiviteteve janë mënyra të mira për organizatat për të bërë punë përmes motivimit dhe energjisë së të rinjve dhe të rejave nga shoqëri të ndryshme, ku të dy palët përfitojnë.
Sigurisht, pranimi i vullnetarëve/eve nënkupton një sërë përgjegjësish. Organizatat pranuese (apo pritëse) duhet të sigurojnë pritje të përshtatshme dhe siguri për të rinjtë ose të rejat që vijnë. Përfshirë këtu akomodim të përshtatshëm, ushqim të shëndetshëm, mbështetje për integrim në komunitetin lokal, ndihmë me transportin lokal; sëbashku me mbështetje dhe detyra domëthënse të cilat nuk zëvendësojnë punën e stafit, janë me ndikim për komunitetin lokal dhe janë një përvojë e dëshmuar e të mësuarit për vullnetarin/en.
Prandaj, organizatat dhe institucionet që dëshirojnë të pranojnë vullnetarë/e duhet që, si hap të parë, të aplikojnë për një Etiketë të Cilësisë. Kjo etiketë vërteton se ata kanë aftësinë dhe kapacitetet e duhura për të marrë pjesë në programin ESC-ës.
Organizatat/institucionet duhet të marrin njohuri rreth programit, të njihen me vlerat dhe kërkesat e tij, dhe të demonstrojnë se janë në gjendje të mbështesin vullnetarin/en/ët/et gjatë gjithë zbatimit të projektit.
Pasi të merret Etiketa e Cilësisë, organizata, së bashku me organizatën e saj partnere nga një shtet pjesëmarrës në ESC, mund të aplikojnë për një grant të ESC-ës, dhe të pranojnë vullnetarin/en/ët/et e parë/a evropian/e.
Etiketa e Cilësisë (më herët është quajtur: procesi i akreditimit) është bileta hyrëse në Korpusin Evropian të Solidaritetit për një organizatë. Pra, është parakusht për pjesëmarrje në projekte vullnetare, por nuk çon automatikisht në përfitim të granteve të Korpusit Evropian të Solidaritetit. Aplikimet për grante të projekteve do të vlerësohen duke u bazuar në kriteret e paraqitura në Udhëzuesin e Programit (publikohet çdo vit) dhe sipas cilësisë së projektit specifik.
Aplikimet për Etiketë të Cilësisë mund të paraqiten gjatë periudhës së programimit, në çdo kohë. Aplikimet nga Kosova duhet të dorëzohen tek SALTO South Eastern Europe (SALTO për Evropën Juglindore).
Ekzistojnë dy lloje të roleve që një organizatë ose institucion mund të marrë përsipër përmes ESC:
- Roli pranues (hosting) – përzgjedhja e vullnetarëve/eve të cilët/cilat do i bashkohen programeve tuaja dhe mirëpritja e vullnetarëveeve duke ju siguruar akomodimin dhe përvojën e tyre të të mësuarit;
- Roli mbështetës (supporting) – dërgimi i vullnetarëve/eve në projekte jashtë vendit, përgatitja e tyre para nisjes, mbështetja e tyre në distancë gjatë zbatimit të projektit, dhe pastaj mështetje rreth organizimint të kthimit të tyre në Kosovë.
Kur organizatat ose institucionet aplikojnë për Etiketën e Cilësisë, ato mund të vendosin për rolin – mund të aplikojnë për rolin e pranues, mbështetës ose që të dy.
Organizatat nga Kosova, si dhe organizatat e tjera nga shtetet e ashtuquajtura partnere, mund të marrin pjesë në aktivitete vullnetare si partnerë. Kjo do të thotë që aplikimet për aktivitete vullnetare (për projekte) duhet të bëhen nga një organizatë partnere (publike ose private) të themeluar në një shtet pjesëmarrës (shtetet anëtare të BE-së, Islanda, Maqedonia e Veriut dhe Turqia), dhe e njëjta duhet që gjithashtu të jetë e pajisur me Etiketë të Cilësisë.
Për organizatat që nuk kanë lidhur akoma partneritete jashtë vendit, ka një mënyrë për të kontaktuar partnerë të rinj të mundshëm. Ato mund të kontaktojnë organizata të akredituara nga ESC-ja në listën e cila gjendet në internet. Vegëza për listën.
Organizatat e akredituara gjithashtu mund të dërgojnë vullnetarë/e nga Kosova në projekte të ESC-ës jashtë vendit. Organizatat mbështetëse ose dërguese ndihmojnë vullnetarët/et të cilët/cilat shkojnë jashtë vendit, duke u siguruar që të rinjtë ose të rejat do të përfitojnë nga përvoja dhe gjithashtu mbështesin riintegrimin e tyre në shoqëri pas kthimit të tyre, ku ata ose ato mund të vazhdojnë punën e në fushën e solidaritetit.
Pranimi i vullnetarëve/eve është pasuri, asnjëherë barrë. GAIA është organizatë me bazë vullnetare dhe ne nuk mund të falënderojmë sa duhet të gjithë të rinjtë dhe të rejat që na u bashkuan, për disa muaj ose për më gjatë, me qëllimin e përbashkët për ta bërë botën një vend më të mirë përderisa, njëkohësisht, mësojmë për njëri-tjerin dhe për veten. Ne duam të inkurajojmë organizatat dhe institucionet kosovare që ti bashkohen programit dhe të jenë pjesë e këtyre shkëmbimeve të çmuara ndërkombëtare.
Informacione të dobishme në lidhje me Korpusin Evropian të Solidaritetit (në anglisht)
SALTO South East Europe Resource Center
Publications related to the concepts of solidarity
Voices of volunteers: a list of testimonies from volunteers throughout the world
Tregime nga vullnetarët/et tanë/tona: Florian, Célia & Hugo, Élisa
Shifting perspective, një projekt i ndërmarrë nga vullnetarët/et tanë gjatë krizës COVID-19.