GAIA Kosovo është duke kërkuar 8 të rinj/reja nga Kosova të cilët/at janë të interesuar për punë vullnetare dhe dëshirojnë të mësojnë se si ndërtohet një shtëpi me kashtë dhe baltë. Ky projekt do të bashkoj 15 vullnetarë/e nga Franca dhe Kosova për 24 ditë ( 23 korrik – 17 gusht ), në fshatin e vogël Bozhevc, në pjesën lindore të Kosovës. Ky aktivitet organizohet së bashku me Hors Pistes, organizatë partnere nga Franca me mbështetjen financiare nga programi i Korpusit Evropian të Solidaritetit.
Ky projekt është pjesë e programit të GAIA-së për ndërtimet natyrore dhe permakulturës, i cili synon krijimin e një vendi për edukim, vullnetarizëm dhe praktika të ndryshme të qëndrueshme. Qëllimi i aktiviteteve këtë vit është ndërtimi i një hapësirë të re për gatim dhe kuzhinë të përbashkët. Ndërtimi do të bëhet përmes teknikave natyrore: mure prej kashte dhe balte, strukturë druri, dhe çati e gjelbër.
Puna
Gjatë këtij projekti, aktiviteti kryesor i vullnetarëve/eve ndërlidhet me ndërtimin e mureve. Vullnetarët/et do të vendosin kashtën në një strukturë të gatshme druri, do të mësojnë se si të vendosin dhe ndërthurin kashtën, dhe si t’i lidhin atë në një kornizë të fortë dhe të qëndrueshme. Pas kësaj, vullnetarët/et do të punojnë në përzierjen e dheut, kashtës, rërës dhe ujit për të lyer muret me një shtresë mbrojtëse ndaj shiut, erës, insekteve, etj. Nëse mbetet kohë e mjaftueshme, vullnetarët/et gjithashtu do të ndihmojnë në ndërtimin e çatisë së gjelbër.
Akomodimi dhe ushqimi
Vullnetarët/et do të qëndrojnë në pronën e GAIA-së në Bozhevc. Vullnetarët/et do të flenë në hapësirën që përdoret për edukim apo në tenda. Ata/ato duhet të sjellin thasët e tyre për fjetje (sleeping bags). Në dispozicion janë disa tualete komposti dhe dushe në natyrë. Gatimi dhe pastrimi i hapësirës do të bëhet në ekipe dhe ushqimi do të jetë vegjetarian, sezonal, vendas, i shëndetshëm dhe shumë i shijshëm. Stili i jetës është i qëndrueshëm, i thjeshtë, dhe pa shumë teknologji dhe lidhje virtuale.
Mundësitë e të mësuarit
Pjesëmarrësit do të kenë mundësi për të mësuar rreth jetesës së qëndrueshme, permakulturës, bimëve medicinale dhe të ngrënshme, si dhe tema të tjera që kanë të bëjnë me natyrën. Meqenëse ky projekt është i ndërlidhun me ndërtimin natyror, vullnetarët/et do të mësojnë më shumë rreth:
- Historisë të ndërtimit natyror dhe teknikat e ndryshme
- Përdorimit të paisjeve
- Përdorimit të kashtës në ndërtime
- Përgatitjes së baltës
- Ndërtimit të mureve me kashtë dhe baltë
- E shumë më tepër…
Kushtet për pjesëmarrje në ketë projekt
Të gjithë/a të rinjët/at nga Kosova mund të aplikojnë në këtë projekt, mirëpo kandidatët/et nga viset rurale do të kenë një përparësi të vogël. Kandidatët/et duhen të përmbushin disa kërkesa specifike:
- Të jenë banor/e të Kosovës
- Të jenë mes moshës 18 e 30 vjeç
- Të jenë të interesuar/a në temat që kanë të bëjnë me mjedisin, ndërtimet natyrale, permakulturën, dhe të ngjajshme
- Nuk nevojitet eksperiencë paraprake, përkundrazi, kandidatët/et që nuk kanë pasur mundësi ti bashkohen aktiviteteve ndërkombëtare do të kenë përparësi
- Njohje bazike e gjuhës angleze është e mirëseardhur, por jo e domosdoshme . . . do të gjejmë një mënyrë për të komunikuar 🙂
Siç është cekur edhe më lart, datat nuk janë të konfirmuara ende, për këtë arsye kandidatët/et duhet të tregojnë mirëkuptim dhe të jenë fleksibil rreth datave të pjesëmarrjes.
Vullnetarët/et duhet të pranojnë kushtet në vijim:
- Jetesë të thjeshtë dhe të qëndrueshme (tualet komposti, kursim të ujit, energjisë elektrike, dhe resurseve tjera)
- Ushqim të shëndetshëm dhe vegjetarian
- Hapësirë e përbashkët me vullnetarët/et e tjerë
- Punë në ekip dhe punë fizike
- Prezencë e kafshëve si qenët, macet, pulat, etj.
Të interesuarit/at duhet ta dorëzojnë formularin e aplikimit para datës 25 Qershor 2021.
Ju lusim ta përdorni hapësirën për të shpjeguar motivet tuaja, eksperiencën paraprake, dhe pritshmëritë. Formularët e paplotësuar nuk do të merren parasysh. Sidoqoftë, nëse për çfarëdo arsye e keni të vështirë ta plotësoni formularin, ju lusim të na kontaktoni për të organizuar një thirrje nëpërmjet internetit apo telefonit.
Vullnetarët/et e përzgjedhur/a do të njoftohen më 30 Qershor.
Projektet e Korpusit Evropian të Solidaritetit janë të veçanta për disa arsye:
- Të gjithë/a vullnetarët/et do të nënshkruajnë marrëveshjen për vullnetari/je
- Shpenzimet e udhëtimit do të mbulohen tërësisht
- Të gjithë vullnetarët/et do të kenë sigurim
- Shpenzimet e ushqimit, akomodimit, paisjeve, dhe materialeve do të mbulohen tërësisht
- Secili vullentar/re do të merr një shumë të vogël të parave për harxhime ditore (3 euro në ditë)
- Në përfundim të projektit, vulletarët/et do të marrin certifikatën Youthpass