Si mund të aplikoj për projekte të ESC-ës jashtë shtetit?
Ju duhet të regjistroheni në platformën European Youth Portal. Ju do të mund të shfletoni projekte të ndryshme në dispozicion dhe të aplikoni direkt në internet, pasi keni plotësuar profilin tuaj. Këtu mund të gjeni informata shtesë për mënyrën e aplikimit në projekte.
Sa do të më kushtoj puna vullnetare?
Përmes ESC-ës, mbulohen të gjitha ose shumica e shpenzimeve bazë! Programi do të ndaj fonde për organizatën tuaj pranuese për të mbuluar shpenzimet e akomodimit/banimit dhe ushqimit tuaj; programi gjithashtu do të mbulojë shpenzimet që lidhen me vizën tuaj, udhëtimin tuaj për në shtetin pranues, madje edhe për orë të gjuhës! Përveç kësaj, do të pranoni edhe para xhepi çdo muaj.
A më ofrohet ndihmë me aplikimin tim për vizë?
Po. Organizata juaj mbështetëse mund t’ju ndihmojë gjatë procesit të aplikimit për vizë por edhe organizata juaj pranuese. Megjithatë, do të ju duhet të caktoni takimet e nevojshme në ambasadën përkatëse. Të gjitha shpenzimet në lidhje me aplikimin për vizë mbulohen nga programi.
Si mund të sigurohem gjatë kohës që jam jashtë shtetit?
Organizata juaj mbështetëse/dërguese do t’ju regjistrojë në CIGNA, në një plan ndërkombëtar të sigurimit shëndetsor për tërë kohëzgjatjen e projektit tuaj. Të gjitha shpenzimet mbulohen, por sigurimi duhet të shfrytëzohet në mënyrën e duhur, vetëm në rrethanat e kërkuara.
A mund të shkoj jashtë vendit për punë vullnetare edhe nëse nuk e njoh mirë gjuhën angleze?
Gjithsesi që mundeni. ESC-ja është program shumëgjuhësh, dhe njohja e gjuhës angleze nuk është e detyrueshme. Sigurisht, disa organizata mund të kërkojnë që ju të dini anglisht, ose ndonjë gjuhë tjetër, sepse është e nevojshme për aktivitetet e tyre por mund të gjeni edhe projekte që nuk kërkojnë ndonjë aftësi specifike gjuhësore.
A mund të marr pjesë në një projekt të punës vullnetare nëse nuk kam diplomë as përvojë pune?
Po mundeni! Organizatat nuk kërkojnë ndonji formim arsimor, as përvojë pune. Kur një organizatë do e shqyrtoj aplikimin tuaj, ajo që ata do të shikojnë është motivimi juaj – kjo është ajo që duhet të keni!
A do të më ndihmojë përvoja e punës vullnetare të gjej punë pas projektit tim?
Një nga qëllimet e ESC-ës është të rrisë punësueshmërinë duke ju dhënë aftësi të vlefshme përmes përvojës së punës vullnetare. Edhe pse projekti juaj nuk është një punë e rregullt, ai do t’ju japë njohuri rreth temave të caktuara, do të përvetsoni disa aftësi teknike / praktike por edhe disa “aftësi të buta” (si të punoni në ekip, të flisni para publikut, punoni me njerëz me nevoja të veçanta, etj.) Në fund të projektit tuaj, ju do të jeni në gjendje të plotësoni Youthpass-in tuaj, një certifikatë që përmbledh gjithçka që keni mësuar gjatë përvojës suaj si vullnetar/e.
Sa herë mund të bëhem vullnetar i ESC-ës?
Ju mund të merrni pjesë vetëm në një projekt afatgjatë të punës vullnetare (prej 2 deri në 12 muaj) por mund të merrni pjesë në projekte të shumta të cilat janë Ekipe Vullnetarësh (prej 2 javësh deri në 2 muaj). Nëse konsideroheni si person me më pak mundësi, mund të merrni pjesë në një aktivitet individual prej 2 javësh deri në 2 muaj dhe të përfitoni nga një “vizitë e paraprake e planifikuar” para fillimit të projektit tuaj.
Në cilat shtete mund të shkoj për të bërë punë vullnetare?
Ju mund të bëni punë vullnetare në çdo vend të BE-së (përveç Spanjës), si dhe në Turqi, Islandë, e Maqedoni të Veriut. Zvicra nuk është pjesë e programit të ESC-ës, por e ka Shërbimin Vullnetar Evropian (EVS), në të cilin mund të merrni pjesë.
A mund të bëj udhëtime gjatë kohës sa jam vullnetar?
Ju do të duhet të diskutoni rreth pushimeve tuaja (kohës së lirë) me organizatën tuaj pranuese. Përveç dy ditëve të lira çdo javë, juve ju takojnë edhe ditët e pushimit të cilat kalkulohen si dy ditë të lira për muaj (p.sh. 12 muaj x 2 ditë = 24 ditë pushimi), e këto ditë mund të i shfytëzoni për të udhëtuar. Ju lutem ta keni parasysh që ESC-ja nuk duhet të shfrytëzohet vetëm si një mundësi për të udhëtuar. Motivimi juaj duhet të përkoj me projektin e solidaritetit në të cilin do merrni pjesë. Nëse aplikimi juaj do të përqendrohet në dëshirën tuaj për të vizituar shtetin pranues dhe shtetet përreth, atëherë ka shumë gjasë që aplikimi juaj të mos pranohet.
Kë mund ta kontaktoj në rast se hasë në ndonjë problem gjatë projektit tim?
Ju do të keni disa kontakte të personave të cilët do të ju mbështesin gjatë projektit tuaj. Në vendqëndrimin tuaj të ri, duhet të mbështeteni te koordinatori/ja juaj, i/e cili/a është atje për t’ju udhëzuar rreth aktiviteteve, por edhe për integrim në mjedisin tuaj të ri. Ju gjithashtu do ta keni një mentor/e, një person lokal me të cilin/en mund të flisni për të kuptuar më shumë kulturën lokale por edhe për të reflektuar mbi përvojën tuaj si vullnetar/e. Mund të ndodhë që të keni probleme me organizatën pranuese dhe /ose mentorin/en. Në këso raste mund ta kontaktoni organizatën tuaj mbështetëse, organizatën nga Kosova e cila ju ka dërguar jashtë vendit.
A është ide e mirë të marrë pjesë një projekt të ESC nëse kurrë nuk kam udhëtuar jashtë vendit dhe nuk kam jetuar kurrë vet?
Është ide e shkëlqyeshme! Kjo është mënyra e përkryer për tu mbështetur në një aventurë të tillë. Ndërmarrja e një hapi kaq të madh mund të jetë stresues, por ju do të mbështeteni vazhdimisht nga organizata juaj pranuese dhe mbështetëse para, gjatë dhe pas projektit tuaj. Organizata juaj mbështetëse do të organizojë një trajnim para nisjes në mënyrë që të dini se çfarë të prisni gjatë zbatimit të projektit tuaj. Në fillim të projektit tuaj, ju do të merrni pjesë në një trajnim të mbërritjes. Nëse projekti juaj zgjat më shumë se 6 muaj, ju do ta keni mundësinë të reflektoni mbi përvojën tuaj në një takim vlerësimi në gjysëm të projektit. Programi mendohet të jetë i qasshëm për të gjithë, duke filluar nga mosha 18 vjeç, kështu që nuk duhet të shqetësoheni për mungesë të përvojës!
A mund ta përfundoj projektin tim para fundit të planifikuar?
Kjo mund të bëhet vetëm nëse arsyetohet në mënyrë të duhur, dhe nëse janë ndërmarr të gjitha mjetet e ndërmjetësimit (në rast konfliktesh) ose përmirësimesh (në rast të pakënaqësisë për shembull). Por JU LUTEMI para se të aplikoni, sigurohuni që do të jeni në dispozicion për tërë kohëzgjatjen e projektit. Mos aplikoni për projekte të cilat interferojnë me studimet tuaja ose mundësitë për punësim. Një projekt i ESC-ës është një angazhim, dhe ju keni përgjegjësi si vullnetar.